KryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Zjarret në Shqipëri, komisioneri i BE-së: Po bëjmë gjithçka për të ndihmuar, por të parandalosh është përherë më mirë se të kurosh

Situata e vështirë me zjarret në Shqipëri, nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga ndërkombëtarët. Fillimisht lajmin e raportuan media prestigjioze si CNN dhe TIME, ndërkohë që sot komisioneri i BE-së, Christos Stylianides, në një intervistë për Deutche Welle, shprehet se BE po bën ç’të jetë e mundur për të mbështetur Shqipërinë.

“Vij nga Qipro, vend që gjithashtu ka vuajtur nga zjarret shkatërrimtare në pyje dhe e di drejtpërsëdrejti, jo me të treguar, sesa të rrezikshëm dhe të vështirë mund të jenë zjarret. Kuptoj shumë mirë sfidat e mëdha për t’i ndalur apo fikur ato.

Dëshiroj të jem i qartë: Ne jemi angazhuar të bëjmë gjithçka për të ndihmuar Shqipërinë. Për aq kohë sa ajo ka nevojë dhe me aksione konkrete. Në vijim të kërkesës së Shqipërisë për ndihmë, këtë javë ne menjëherë vumë në lëvizje Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE që iu përgjigj pa asnjë vonesë kërkesës së Shqipërisë. Po e mbështesim Shqipërinë në dy mënyra kryesore: para së gjithash kemi mobilizuar aeroplanët zjarrfikës që u ofruan nga Greqia përmes Mekanizmit tonë Europian të Mbrojtjes Civile, që filluan të funksionojnë javën e kaluar dhe kanë vazhduar gjithashtu edhe këtë javë- pikërisht dje (11/08/2017) dy aeroplanë Canadair vepruan në bashkinë jugore të Dropullit.
Përfitoj nga rasti për të falenderuar Greqinë për bujarinë e saj. Ky është një shembull i prekshëm i solidaritetit europian.

Së dyti: po u dërgojmë autoriteteve shqiptare të mbrojtjes civile harta satelitore përmes sistemit Kopernikus, të cilat ndihmojnë shumë personelin e mbrojtjes civile për të identifikuar frontet e zjarrit dhe fokusuar me efektivitet përpjekjet për të luftuar dhe shuar zjarret. Në të gjithë Europën, shumë vende të tjera si Italia, Franca, Portugalia dhe Mali i Zi, këtë verë, kanë aktivizuar gjithashtu Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për të shuar zjarret në pyje. Ne u jemi përgjigjur me shpejtësi. Është një situatë e vështirë por po bëjmë gjithçka që mundim për të ndihmuar në kapërcimin e saj.”, janë fjalët e komisionerit.

Ndër të tjera, Stylianides është shprehur se në çdo rast, më mirë është të parandalosh se sa të kurosh.

“Para së gjithash le të them që të parandalosh është përherë më mirë se të kurosh. Prandaj, si një parim i përgjithshëm, ne punojmë me shtetet brenda dhe jashtë Evropës për të rritur kapacitetet parandaluese. Kur është fjala për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësi natyrore, parimet janë të njëjta për vendet brenda dhe jashtë BE-së. Ne inkurajojmë partnerët tanë në Europë dhe në vende të tjera të botës të investojnë në masat parandaluese për të zvogëluar rreziqet në të ardhmen. Për shembull të përmirësojnë sistemet e alarmit dhe shkëmbimin e informacionit kur shfaqet një krizë. Në këtë mënyrë reagimi, përgjigja ndaj saj mund të jetë më e shpejtë, më efikase. Në vendet fqinje me BE ne japim gjithashtu fonde.”, tha Stylianides.

Në fakt ai ka të drejtë, por Shqipëria në këtë rast ishte shumë larg parandalimit, apo reagimit të shpejtë, për shkak të infrastrukturës së dobët të shërbimit zjarrfikës. (D.D/Shuplaka)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *