AktualitetEkonomiTe FunditTe Gjitha

Tri ndryshimet e Paketës së Re Fiskale që penalizojnë makinat, nga rritja e taksave te kolaudimi

Nga 1 janari i 2017-s drejtuesit e makinave me gaz po paguajnë më shumë për karburantin. 

Kjo për shkak të hyrjes në fuqi të paketës fiskale, e cila parashikon që drejtuesit e makinave të luksit të paguajnë më shumë taksa pasi qeveria uli çmimin për makinat që konsideron luksi, nga 7 milionë që ishte, në 5 milionë.

Për shkak të projektvendimit të Ministrisë së Mjedisit për nivelin e shkarkimit të gazrave, edhe makinat e prodhuara para vitit 2000 janë të rrezikuara të penalizohen gjithashtu në kolaudim.

Një gazetë e përditshme shqiptare ka publikuar tre ndryshimet që penalizojnë makinat dhe kategoritë që preken.

GAZI

Më 1 janar të 2017-s hyri në fuqi paketa fiskale, ku u vendos akciza për gazin e lëngshëm që përdorin makinat në masën 8 lekë/litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar. Që në ditët e para të janarit, ndryshimi i akcizës, duke përfshirë edhe TVSH–në, ndikoi në rritjen e çmimit të gazit në 10 lekë për litër. Më herët, çmimi i shitjes së gazit për automjetet varionte nga 45 lekë deri në 50 lekë për litër. Aplikimi i akcizës solli shtrenjtim të çmimit, i cili varion nga 60 lekë deri në 65 lekë/litër.

TAKSA E LUKSIT

Më herët, taksa e regjistrimit prej 70 mijë lekësh dhe taksa e përvitshme prej 21 mijë lekësh paguhej nga makinat me cilindrat mbi 3 mijë kubikë dhe me çmim mbi 7 milionë lekë. Nga janari i këtij viti, kjo taksë paguhet nga automjetet me vlerë mbi 5 milionë lekë dhe me cilindrat mbi 3 mijë kubikë. Ulja e çmimit për aplikimin e taksës së makinave luksoze do të shtojë numrin e drejtuesve të automjeteve që do të paguajnë taksën e re. Sipas të dhënave që jep Drejtoria e Shërbimit të Transportit, në 2016-n taksa e luksit është paguar nga 5400 mjete, që përbëjnë 1,5 për qind të totalit të 420 mijë mjeteve që qarkullojnë.

NDOTJA

Makinat e prodhuara para vitit 2000, që kategorizohen me standardin “euro 1” dhe “euro 2” duhet të përshtaten sipas standardit “euro 3”. Në projektvendimin e Ministrisë së Mjedisit thuhet se drejtuesve të këtyre mjeteve u lihet afat deri në korrik të 2017-s të përshtatin makinat, në rast të kundërt do të ndalohen të qarkullojnë. Instalimi i katalizatorit apo edhe marmitës katalitike, kur makina është shumë e vjetër, sipas specialistëve është me çmim nga 17 mijë lekë deri në 150 mijë lekë.

Ministria e Mjedisit, i justifikon këto masa me arsyetimin se masa të ngjashme po zbatohen edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë.

 

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *