FlashKryesorePolitikëTe GjithaVeç e Shuplakës

PJESA E DYTË e intervistës ekskluzive, Manjani: Ju rrëfej PRAPASKENAT e shkarkimit dhe përplasjet me Ramën

Nga Valmora Gogo

”Shtetin që kemi projektuar tashmë pas ndryshimeve kushtetuese mund ta vizatonte vetëm mjeshtri Kapexhiu. Është një shtet i miksuar me portretin e Lu-së, gojën e Ramës dhe shtatin e Romanës. Në këtë shtet jetojnë njerëz që harrojnë fukarallëkun duke tymosur hashash.”, kjo është batuta që lëshon ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani në këtë intervistë ekskluzive.

Manjani nuk është një ministër klasik dhe as tipik shqiptar. I hapur deri në detaje të imtësishme me mediet, me deklarata që tronditën opinionin publik pas shkarkimit por njëkohësisht një profesionist e qytetar i angazhuar.

Ish-ministri i Drejtësisë, që u shkarkua nga kryeministri Rama rreth 2 muaj më parë tregon në një intervistë për ”Shuplaka”-n detaje të pazbardhura nga puna në qeverinë shqiptare dhe raportin me Ramën: si i kërkohej të merrej lejë për të folur te drejtori i Ramës Endri Fuga, si qeveria shqiptare merrte vendime pa u mbledhur, si tenderat zhvillohen në shkelje të plotë, si kryeministri Rama ka shantazhuar me telefon gjyqtaren e Kukësit, si kanabisi mori përmasa dhe luftën e tij me Ramën e Tahirin për ta pranuar si fenomen dhe çfarë marrëdhëniesh ka tani me Ilir Metën e LSI-në. A do jetë në listat e LSI-së për deputetet këto zgjedhje?

Manjani rrëfen në këtë intervistë të gjithë prapaskenën e shkarkimit të tij, zbërthen Reformën në Drejtësi dhe përfshirjen e SOROS-it por sigurisht që i përgjigjet edhe pyetjes ”Cilët ministra flinin me dashnoret te Santa Quaranta”.  

Kjo është PJESA E DYTË dhe e fundit e intervistës ekskluzive të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. 

Çfarë ju tha Meta, kur ju i komunikuat se nuk e jepnit dorëheqjen?

Ishin disa ditë ndër mes dhe i thashë ”Po, dorëheqjen ty kur të duash, Ramës jo!”. Përfundimisht u vendos që unë të mos jap dorëheqjen dhe nuk e kam dhënë. Sepse nuk kisha arsye të jepja dorëheqjen, aq më tepër në kulmin e punëve, ku akuzat ishin të tilla që duhet të gjejmë një fajtor, ”një kokë turku”, kjo ishte loja e ”kokës së turkut”, që po na prishet koalicioni, po na përçahet e majta dhe ca historira të tjera që unë s’kisha lidhje fare.

Kështu që në këtë pjesë isha dhe i mbeta korrekt vendimit tim për të mbrojtur punën time dhe po të isha larguar i dorëhequr këtë do më thonin ”ti ike, çfarë do tani?!”. I kam qëndruar dhe i qëndroj strikt pozicionit tim. Ajo ishte steka që unë mendova për pozicionin e një ministri.

Edi Rama dhe Ylli Manjani gjatë kohës kur ishte ministër

Deklaratat tuaja ishin shumë të forta pas shkarkimit. Folët për presion në telefon të Ramës ndaj gjyqtarëve. Cilën gjykatëse ka telefonuar Rama dhe i ka bërë shantazh?

Gjykatësen e Kukësit. Është një gjykatëse e Kukësit, është marrë në telefon për të futur në burg një plak që nuk kishte paguar faturën e energjisë elektrike.

Gjykatësi që dha masën e sigurisë për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili kishte  shkelur ligjin duke përdorur një pajisje të paregjistruar në institucionet shqiptare, përgjimi, krejtësisht e paautorizuar. Nëse ka shkelje ligji me të dyja këmbët, ajo ishte një shkelje ligji e megjithatë gjykatësi ç’bëri? Konfirmoi një kërkesë të Prokurorisë. Kushdo gjykatës do ta bënte atë gjë.

Dolën me ”libër shtëpie”, ky dhe Policia e Shtetit e masakruan atë gjyqtar. Ajo ishte masakër shtetërore me deklarata publike dhe me sjellje krejtësisht brutale dhe harbute të Policisë së Shtetit që bënin sikur hetonin dhe kjo është një gjë që nuk mund të pranohet në një republikë me pushtete të ndara, nuk ka punë kryeministri me jetën e një gjyqtari, fare! Po fare!

Çfarë thoshte kryeministri? Kush vendos kundër meje është kriminel! ”Vrasës serial”, çfarë domethënë ”Vrasës serial”? Kujt i thua? Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, mbledh policët dhe u flet për ”vrasësin serial”, gjyqtarin?!

Si mund të ishte dakord një ministër Drejtësie me këto gjëra? Kurrën e kurrës! Dhe jo një ministër Drejtësie, por asnjë qytetar normal nuk duhet ta pranojë. Është standard sjellje diktatoriale.

Gjykata është jashtë nesh, është jashtë qeverisë, edhe kur gabon, edhe kur sillet e korruptuar. Në fund fare ai të sjell një vendim.

Pse kur u vendos pezullimi i drejtorit të Policisë së Shtetit e ka fajin gjykata?! Po mirë ky drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ku e mori të drejtën me përgju njerëz në mënyrë të paligjshme, pa lejën e prokurorit, pa lejën e gjykatës dhe me një pajisje që nuk ishte regjistruar në Republikën e Shqipërisë?! Po futën në siklet edhe Interforce-n italiane!

Për këto gjëra kush duhet të kërkojë hesap?! Atë gjykatës duhet ta marrësh dhe t’i bësh një lapidar në qoftë se e ka bërë ai gjykatës! Atë prokuror që heton duhet ta mbrosh, jo sulmosh! Nuk lanë gjë pa bërë. Ishte strategji.

Sigurisht që këtu kemi bërë debat me kryeministrin dhe i kam thënë dhe i qëndroj kësaj pikëpamje, ministri i Drejtësisë nuk komenton mbi vendime konkrete të gjykatësve! Sepse po bëra edhe unë këtë, atëherë i shkrin gjykatat.

Ju ka kërkuar të komentoni?

Unë kisha shkruar që nuk komentoj. Ky u nxeh dhe tha ‘’si nuk komenton ti?’’ ‘’Jo pra nuk komentoj’’ thashë. Dhe kjo është gjithë historia e kësaj duke u quajtur si një ‘’biografi’’ e keqe e imja, të cilën patjetër mund ta kisha të keqe te Edi Rama, por në kuptimin e zbatimit të ligjit dhe kushtetutes isha krejtësisht korrekt dhe nuk më intereson fare kjo pjesë.

Nuk ka qenë qëllimi im të merrem me Ramën, qëllimi im ka qenë të tregoj si duhet të funksionojë një funksionar publik në kushtet e kushtetuetshmërisë dhe zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit.

A mund të na shpjegoni se si funksionon raporti i drejtorit të Komunikimit të Ramës, Endri Fuga me ministrat? Keni thënë se duhet të marrësh leje te ai për të folur…

Kryeministri ka një problem me fjalën e lirë dhe me njerëzit që mendojnë. Në pikëpamjen e kryeministrit, ministri nuk është një njeri që mendon dhe që komunikon me publikun për idetë që ka. Sipas kryeministrit, ministri nuk duhet të ketë ide, mendim dhe kur e ka duhet ta shtypë. Kjo është pikëpamja e kryeministrit dhe këtë e shpreh në një farë Kodi Etike që këta e kanë bërë në 2013-ën, në atë dashurinë e madhe të koalicionit bënë këtë kod etik, duke injoruar ligjet e vendit.

Kodi etik, sjellja e një ministri, është përcaktuar në ligj dhe nuk ka nevojë te kodi i Endrit, në këtë kuptim e kam përdorur kodin e Endrit për t’i rënë shkurt.

Ju keni përmendur ‘’lejën e Endrit’’. Si funksionon marrja e lejës…

Kolegët e tu që bëjnë studio dhe realizojnë gjëra të kësaj natyre padyshim që nuk flasin me ministrat, flasin me Endrin dhe Endri çon ministrin e radhës. Kështu funksionon.

Kur ju pyesni ndonjë ministër aksidentalisht për ndonjë pyetje konkrete, keni dëgjuar ndonjë përgjigje ju?! Ca mërmëritje kot të pavlera sepse në këndvështrimin e tyre, ministrat janë pjesë e propagandës së kësaj qeverie.

Kjo është një gjë që nuk është normale dhe ne kemi bërë debat, e i kam referuar Kodin që përmban ligji. Çfarë thotë ligji? Ministri merr pjesë në mbledhjet e qeverisë, ministri voton në mbledhjet e qeverisë votojnë edhe kundër një vendimi të Këshillit të Ministrave, e thotë ligji me 3/5 jo Kodi i Endrit që s’ka asnjë vlerë ligjore dhe e mbyll gojën në publik për vendimet e qeverisë. Pra për çfarë diskutohet në qeveri, çfarë merret vendim aty, mbetet brenda qeverisë. Nëse kemi një vendim të përbashkët, pavarësisht se je kundër për vetë faktin që je pjesëtar i qeverisë je solidarisht dakord dhe mbyllet kjo histori. Të pëlqeu rri, s’të pëlqeu ik.

Këtë thotë ligji kurse kodi shkonte më të tej: të mos bëhen deklarata publike, të mos thuhet asgjë e pacertifikuar, të mos thuhet asgjë që bie ndesh me programin, hajde bie dakord se ç’është programi dhe të koordinohen qëndrimet me këtë drejtorin e…(nënqesh) çfarë është ky që s’e mora vesh as kur ika…i Komunikimit në Këshillin e Ministrave.

A ka ndodhur që qeveria të ketë marrë vendime pa mbledhje dhe kur? Çfarë vendimesh?

Po patjetër. Disa herë. Vendime që këta i quajnë qarkulluese janë të paligjshme! Është marrë vendim edhe për të lëvizur Forcat e Armatosura, edhe për t’i dhënë pasaporta diplomatike Kombëtares. Rama ka bërë me kokën e vet. Ose kur është shkarkuar Elvis Rroshi nuk është mbledhur qeveria! Biles doli në media, edhe me firmën e Kryeministrit, ndërkohë që qeveria ishte me pushime. Unë isha ministër, s’më kishte thënë njeri gjë.

Këto duken të thjeshta se shumëkush mund të thotë mirë ia bëri Elvis Rroshit, por luhet me propagandë, jo me ligjet. Në një situatë normale nuk duhet të ndodhë, mirë kur ky vendim të pëlqeka por mund të marrë një vendim edhe që s’të pëlqen. Prandaj janë krijuar rregullat. Qeveria mblidhet dhe ministri betohet se do punojë 24 orë në 24, edhe kur nuk është ministri ka një zëvendësministër.

Keni folur edhe për një tender të Shërbimit të Avokatisë, si është e vërteta e këtij tenderi?

Ishte një debat tjetër që ekzistonte, një praktikë ku Avokatura e Shtetit merrte kuturu shërbime avokatie, i blinte në treg, pa justifikuar arsyen, pa justifikuar çmimin dhe pa proces. Tani çfarë ndodh? Sigurisht që unë këtë gjë e ndaloj, në kohën time asnjë miratim nuk është dhënë për dy arsye: Ligji autorizon Avokatin e Shtetit të mbrojë shtetin brenda dhe jashtë vendit. Nëse avokati dorëzohet me mbrojtjen jashtë shtetit, atëhere ta shkrijmë, dhe po marrim një kompani që të na bëjë shërbimet njëherë e mirë.

E dyta edhe nëse nuk shkojmë te veprimi ekstrem bëjmë një procedurë të hapur ndërkmbëtare, ku përzgjedhim dy apo tre studio ndërkombëtare që t’i përdorim sa herë kemi nevojë. Kushti ishte që të jetë prokurim me çmimin më të lirë për punë. Ky ishte propozimi im, i cili mbeti në qeveri që prej fundit të vitit 2015 e deri në fund, me qëllim që të ushtronin presion duke e çuar në ekstrem, kemi një emergjencë dhe hajde ta bëjmë. Dhe unë nuk e kam bërë këtë gjë, flakta i dalë!

Në këto kushte u erdhi këtyre një emergjencë, çështja ”Becchetti”. Kishte hedhur shtetin shqiptar në Arbitrazh. Emergjencë, emergjencë! Dhe çfarë bëra? Nuk e pranova. Ata gjetën një rrugë tjetër, nëpërmjet propozimit të Ministrisë së Energjisë, e futën në qeveri, pa vendime, pa mendime, pa buxhet dhe e kaluan në qeveri. Ka qenë rreth 2 milionë euro.

Një studio që dështoi me sukses, 2 milionë euro të dështuara me sukses! Askush nuk mund të bënte një analizë, pse duhet ta përdorim, çfarë duhet të ndodhte, mos do ishte më mirë të tërhiqemi nga Arbitrazhi?!

Të kalojmë te çështja e Klement Balilit. Pse nuk kapet Balili sipas jush?

Nuk e di. Këtë e di vetëm Policia e Shtetit. Unë kam thënë dhe e mbyllim këtu këtë çështje, më datën 17 maj 2016 ka pasur dhe ka ende urdhër të Interpol Athina për arrestimin e këtij personi dhe arrestimi i këtij personi është i pajustikueshëm. Kaq. Këtu fillon dhe mbaron kjo histori.

Z.Manjani, cilët ministra kanë qenë me dashnoret te ‘’Santa Quaranta’’?

Nuk i hyj fare kësaj teme. Është një temë që shfokuson.

Keni folur për shërbime inteligjente…

Ndoshta ndonjëherë bëjmë edhe gabim që themi ndonjë gjë më shumë. Nuk dua të shfokusohemi. Ta zëmë se kanë qenë. Çfarë kanë bërë? S’kanë shkelur ligjin e askujt!

Atëherë t’i përjashtojmë të dashurat, këta njerëz të lidhur me Balilin, cilët janë?

Nuk e di këtë. Unë kam një datë, 17 maj. Kaq mbaroi historia. Të kapet, pse nuk e kanë kapur?! Ndërkohë që provohet se ka qenë i lirë, edhe nga ju mediet, ka dalë, ka shëtitur dhe s’i ka hyrë gjemb në këmbë!

Ju i besoni këto fotot që janë shpërndarë në dasma, plazh…

I besoj 1 mijë përqind! E kanë thënë vetë familjarët: ”S’na ka ngacmu njeri”.

Pati një tentativë për t’iu lidhur me prona të Balilajve, pushime te ”Santa Quaranta”…

Tentativat për të përbaltur kanë qenë dhe këtu ka qenë reagimi im, jo nervoz por i fortë që ishte një lojë e Ministrisë së Brendshme për të më përbaltur mua për dy arsye: që ky njeri i lirë është njeri i LSI-së që ”Ok”, ata kanë  qenë njerëz të LSI-së, ka bashkëpunuar me LSI-në, unë nuk e kam mohuar ndonjëherë këtë gjë dhe pavarësisht kësaj kam qenë unë i vetmi zyrtar publik që kam bërë distancimin e qartë.

Dhe medemek unë kam një apartament në Sarandë dhe shkoj i bëj pushimet atje…

E vërteta është që kam hyrë atje dhe kam pirë ndonjë kafe se nuk është krim, do shkoj edhe nesër për të pirë kafe, por jo plazh, sepse plazhin e dinë ata që unë e bëj diku tjetër.

Tentativa ishte për të bërë kështu lidhjesh të ulta dhe të pista. Të gjitha ishin shpifje dhe nuk jam marrë me to. Për interes të opinionit publik ka vetëm një datë: 17 maj 2016, kur Policia Shqiptare thoshte që s’kishim mandat arresti, Interpoli grek e futi në sistem, tani pse nuk e arrestojnë? Dhe nuk është hera e parë që luhet me Interpolin, është luajtur edhe me Mark Frrokun. Janë precedentë që këtu luhet keq me Interpolin.

Nga data 17 maj 2016 e deri sa kam qenë unë ministër ai zotëri ka qenë në kërkim ndërkombëtar. Detyrimi i Policisë Shqiptare është të zbatojë urdhrat e Interpolit, ka prova apo s’ka prova, kjo është tjetër çështje.

Policia dështoi të arrestonte. Në radhë të parë dështimi ka qenë i policisë, po them ‘’dështimi’’ në rast se nuk ka pasur ndonjë arsye tjetër. Tentativa që ata bënë se nuk kishin urdhër arresti ishte mashtrim, urdhër-arrestin e ka patur Interpoli dhe unë kam marrë dijeni nga policia vetë, se nga ta dija unë?!

Drejtori i Policisë së Tiranës më ka informuar që ky person është vendosur në kërkim ndërkombëtar dhe unë kam informuar prokurorin. Formalisht, se praktikisht ky proces nuk u përmbush kurrë. Policia e Shtetit t’ia kërkojë vetes!

Ylli Manjani gjatë intervistës për ”Shuplaka”-n

Të kalojmë te zgjedhjet. Sipas jush LSI-ja duhet të dalë e vetme në zgjedhje dhe nëse një nga partitë e mëdha do kërkojë koalicion me LSI-në, ju kë do të preferonit Ramën apo Bashën?

Unë do të preferoja një sistem zgjedhor më të zbutur nga ky i sotmi, i cili të nxiste konkurimin e partive veç e veç. E quaj më të moralshme që partitë të hyjnë në zgjedhje veç e veç dhe proporcionalisht të marrin sa u takon.

Pikërisht këtu qëndron problemi se sistemi aktual zgjedhor, nuk siguron proporcionalitetin, po garanton pengmarrjen politike. Partitë politike, nga e madhja te e vogla, janë të pengmarra, nuk janë të lira në vendimarrjen e tyre për shkak të kësaj që po ndodh. Në fakt kjo temë hapet para zgjedhjeve, që duhej hapur të paktën një vit para.

Domethënë LSI-ja penalizohet nga ky sistem?

Të shpjegoj logjikën në parim: unë vetë do pranoja këtë gjë, që të kishim një numër qarqesh të reduktuar dhe sistemi bëhet gati proporcional, rritet shumë proporcionaliteti dhe partitë të konkuronin më vete që të kuptonim sa vlerë ka secila.

Dhe pastaj koalicionet janë legjitime, në kuptimin moral, pas zgjedhjeve, në bazë të rezultatit elektoral, programit politik që ke marrë vota negocion për çështje parimore, jo për çështje emrash. Unë jam për këtë standard.

Kjo do të ishte e ndershme, formulë e rregullt dhe e pastër dhe s’i ke borxh askujt dhe kjo do ta bënte politikën më shumë të orientuar nga idetë se nga personat.

Sot çfarë ndodh? Sistemi politik zhytet në pengmarrje, te llogaritë dhe jo te parimet. Kjo e ka marrë në qafë këtë sistem dhe hajde gjeje ti se si duhet të konkurosh.

Ky është një sistem që nxit koalicionet parazgjedhore, që janë të sforcuara. Dhe sigurisht që krijojnë edhe kosto morale, kosto të tilla që nuk je i lirë të thuash as mendimin tënd vetëm se je në koalicion.

Po partisë suaj, si i leverdis më shumë? Në çfarë pozitash do ishte më komode?

LSI-ja nuk mund të marrë qëndrime joparimore por nga ana tjetër edhe idiote, nuk mund të shkojë në vendime që e penalizojnë. Patjetër që jo.

Në kushtet që jetojmë do ta luash vallen sipas ritmit që luhet jo sipas ritmit tënd. Kjo është e vërteta, sigurisht duke marrë në sy edhe kostot eventuale.

Unë nuk di ta them këtë por e mira do ishte të dilnim vetëm por me një sistem më të zbutur.

Po nëse do dilte nevoja e një koalicioni paszgjedhor me LSI-në, kë do preferonit, Ramën apo Bashën?

Do preferoja partinë që i afrohet programit dhe tezave politike që ofron LSI-ja sepse ne kemi bërë një tolerancë shumë të madhe në 2013-ën.

Ne kemi toleruar taksën progresive, s’ka qenë e jona ajo. Ka qenë e PS-së! Kemi toleruar shëndetësinë falas, nuk ka qenë e jona ajo. Janë realisht teza të forta. Kemi toleruar fasonët, kemi toleruar Ligjin e Arsimit, që në mes të lojës të prishen rregullat. Ne nuk kemi qenë për koncesionimin e çdo gjëje. Nuk kemi qenë asnjëherë, ne besojmë te administrimi publik dhe kjo është një nga tolerancat e mëdha që është bërë në 2013-ën, pikërisht se ishim në koalicion.

Përderisa ke fituar zgjedhjet në koalicion, çfarë do thuash, që nuk jam dakord parimisht? Duhet ta kishe bërë këtë diskutim para!

LSI-ja nuk e ka të lehtë të dalë më vete në këtë sistem?

Sigurisht që jo. Por edhe PS-ja vetë, sepse nuk i merr aq mandate sa ç’i merr në koalicion dhe kjo do ta vendoste në një garë me Partinë Demokratike që do të ishte më aktive se ç’është dhe sot. Pra dalja vetëm motivon votuesit dhe partitë.

U pa një tendencë e Ramës për të ”zëvendësuar” LSI-në me PDIU-në në koalicion. Si e komentoni këtë?!

Rama nuk e ka dashur dhe nuk e do LSI-në, nuk është problem te partia e çamëve. Rama në sjelljen e vet politike e ka dashur LSI-në për të fituar zgjedhjet por gjithmonë pas zgjedhjeve me LSI-në nuk ka qenë korrekt!

Në 2007-ën iu desh LSI-ja se po mos merrte bashkinë, do humbte dhe partinë. Fitoi Bashkinë e Tiranës nuk u pa më. Në 2009 nuk u pa më, bëri të fortin, humbi, në 2013-ën megjithse i kishte bërë gjëmën LSI-së, s’la gjë pa i bërë, me video, pa video, u detyrua të lëpinte ç’kishte pështyrë sepse nuk vinte dot në pushtet. Pra fituam zgjedhjet, u harrua situata.

Erdhëm te zgjedhjet lokale, nuk u mbajt asnjë nga premtimet që u bënë para zgjedhjeve dhe gjatë fushatave elektorale. Dhe nuk e ka vetëm me LSI-në, e ka me çdo aleat.

Rama nuk është komod të dalë më vete, po i duhet LSI-ja!

Po i njëjti pretendim është edhe prej tyre. Tahiri thotë se LSI-ja sjell problemin e kanabisit se do të fitojë vota…

Po mirë, cila parti nuk do të fitojë vota? Se këta të bëjnë dhe për budalla. Po pse PS-ja nuk do të fitojë?! PS-ja do të thotë unë kam hyrë me kanabis dhe u premton parajsën ekonomike dhe vazhdon lojën, kurse LSI-ja thotë që nuk është gjë e mirë.

Ajo që më shqetëson është kjo: që edhe LSI-ja nuk po merret me thelbin e problemit: klimën mbytëse të biznesit. Duhet të jetë shumë më agresive me këto tema. Kredia që po dominon bankat sot është kredia konsumatore, fundi i bankave, të nxjerrësh dhjamë nga pleshti! Sepse kredia e biznesit po merr goditje, biznesi nuk do.

Na është bërë një bankë, aksionerët e të cilës janë nga Virgin Island, të panjohur, të paidentifikuar…

E keni fjalën për ”ABI BANK” ku Linda Rama është pjesë e Këshillit Drejtues?

Lëre Linda Ramën, se nuk merrem me gratë e politikanëve…

Si mund të jetë një bankë, bankë do të thotë marrëdhënie besimi dhe si mund të vendosë paratë në ishuj offshore.

Dhe askush nuk merret me këtë temë, të gjithë merren se është Linda Rama, po dhe Linda Rama do punojë, nuk është kjo tema, nuk më shqetëson kjo!

Si është e mundur që katandiset që edhe sistemi bankar të futet në sisteme të pabesueshme?! Atëherë pse nuk duhet ta besoj unë që këto banka pastrojnë para?! Pse s’duhet ta besoj projektin 1 miliard euro?! E pra kështu është, ca lek, një bankë dhe lidhen pak e nga pak dhe askush nuk merret me këtë temë, të gjithë thonë ”u bë, nuk u bë koalicioni”. Po kujt i hyn në xhep përveçse partive politike?!

Ju hyn zoti Manjani, atyre që janë të punësuar në administratë…

Po ata janë në konflikt interesi. Sa janë…

Janë shumë, sepse kanë familjarë e rreth nga mbrapa…

Shteti as 100 mijë vetë nuk paguan. Nuk janë votat këto! Votat  dhe interesi i njerëzve vjen aty ku ti ke shërbimin, ku troket në derë. Futesh në sportel dhe nuk e merr shërbimin, se të shohin nga xhepat, kur ti futesh në një bankë dhe nuk e kupton në çfarë banke je. Këto gjëra duhen thënë.

Koalicioni ka rëndësinë e vet, por jemi në kushtet e një krize politike. Nuk ka zgjedhje pa opozitën, problem është çfarë do bëhet me çadrën. Ashtu duken ata si të përhumbur por çshtë problem për Shqipërinë, për të gjithë ne!

Edhe ndërkombëtarët kanë nisur të mendojnë ndryshe për çadrën…

Cilët ndërkombëtarë? Ndërkombëtarët që janë përdorur këtu në Shqipëri, për shkak të propagandës së brendshme kanë qenë me mision shumë të gabuar sepse kanë dhënë një imazh shumë të keq. Unë vij nga bota e institucioneve ndërkombëtare, kam punuar. Nuk ka qenë kurrë kështu, asnjëherë!

Nuk mundet që ambasadori, pavarësisht i çdo vendi të jetë, të bëhet pjesë e propagandës së qeverisë! Absolutisht jo. Ne i kemi parë ambasadorët mbi palët, që japin shenja bashkëpunimi, pas ’97 që ishte vendi pas luftës e megjithatë u gjet arsyeja që Nano dhe Berisha të uleshin, të ulnin gjakrat. Nuk e kishin të thjeshtë.

Ju po thoni që Donald Lu duhet të kontribuojë tani në negociata për bisedime?

Unë nuk e di se çfarë duhet të bëjë Donald Lu, se s’kam ndërmend të merrem, as me këtë tjetrën. Deri më sot ishim mësuar të shikonim këtë lloj qasje dhe jo ”opozita e ka gabim”. Ne nuk duam gjykatës, se ky lloj gjykimi penalizon demokracinë, se është demokraci e brishtë, nëse një ambasador thotë ”kjo parti ia fut kot”, si mendoni ju se është një gjë e thjeshtë, në kushtet e opinionit publik?!

Ne kemi bërë sot një kushtetutë që nuk e zbatojmë dot. Shtetin që kemi projektuar tashmë pas ndryshimeve kushtetuese mund ta vizatonte vetëm mjeshtri Kapexhiu. Është një shtet i miksuar me portretin e Lu-së, gojën e Ramës dhe shtatin e Romanës. Në këtë shtet jetojnë njerëz që harrojnë fukarallëkun duke tymosur hashash!

Tani më fal, çfarë është kjo? Megjithë respektin që kam për SHBA-të dhe BE-në.

Projektin e përfshirjes së ambasadorëve në propagandën e qeverisë patjetër që nuk e quaj një gjë të mirë. Nuk pipëtinte njeri, duhet të fliste njëherë Lu, pastaj Rama dhe me çfarë, me fjalët e njëri-tjetrit, nuk po e quaj këtë tjetrën se kjo është e zgjedhur nga Rama! Dhe çfarë bëjnë? Shpifin edhe ndaj medias, thonë ”nuk ka blerë vilë”. Po, ka blerë vilë! Nuk quhet shpifje kur media thotë të vërtetën!

Jemi ne që jemi më të interesuar për një qeverisje të mirë, për një sistem më funksional se luftën ndaj korrupsionit nuk ka për ta bërë ”Vettingu”! Është krijuar ideja, fiks Enver Hoxha: Plani i dytë 5-vjeçar do sjellë begatinë, tani ne themi ”mandati i dytë me Vettingun”…po kush e ha këtë? Ky është budallik!

Çfarë lidhje ka ”Vettingu” me krizën e bankave, me krizën e besimit në politikë?! Vetëm propagandë, kështu erdhi edhe Enveri.

Ilir Meta dhe Ylli Manjani gjatë kohës kur ishte ministër

Cila është marrëdhënia juaj momentale me Metën, a takoheni me të?

Siç u kam thënë ditën e parë, vazhdoj të jem në të njëjtin angazhim. Jam anëtar i Kryesisë në kuptimin formal dhe strukturor. Patjetër që LSI-së dhe Ilir Metës i mbetem mirënjohës për mundësinë që më dhanë për të kontribuar. Projekti vazhdon, sigurisht në varësi të interesave.

Megjithatë tani që jeni zhveshur nga ‘’xhaketa e ministrit’’, a jeni më i lirshëm për të komunikuar me Metën?

S’më ka penguar xhaketa mua asnjëherë! Nuk jam njeri xhaketash!

A kërkon Meta tani mendim nga ju, për zhvillimet?

Jemi takuar pak më rrallë sepse si duket ka intensitet këto kohë, por nuk është ndonjë gjë e rëndësishme kjo gjë. Nëse Kryesia e partisë do ende angazhim nga unë, unë nuk e kam mohuar këtë gjë.

Kam mohuar vetëm një gjë: anëtar i komisioneve të partisë, me kryetar etj, është një gjë që nuk e kisha me qejf.

Çfarë prisni ju tani nga LSI-ja?

Asgjë. Pse duhet të pres nga LSI-ja? S’kam pritur kurrë nga LSI-ja!

Jeni një figurë e lartë politike e LSI-së, pavarësisht nga shkarkimi. A jeni në listat e kandidatëve për deputet të LSI-së?

Nuk e di. Nuk e vendos unë.

A e mirëprisni nëse do të jeni?

Nuk e vendos unë se çfarë do bëjë partia. Kur të vijë, nëse do të vijë…Nëse mua do më kërkohet diçka, patjetër që do jap përgjigjen e duhur.

E para nuk ka ardhur dhe e dyta nuk kam shpallur ndarje politike por një gjë që dua ta shpjegoj: unë preferoj të jem një njeri i lirë në mendim dhe reagim.

Këtë kompromis, të heq dorë nga mendimi i lirë nuk e kam bërë asnjëherë dhe kam qenë në situatë më kritike se sa sot! Nëse kjo më ndan mua nga politika, punë e madhe, iku mbaroi, jeta vazhdon. Unë avokat jam, avokat do vazhdoj dhe nuk më shqetëson kjo pjesë, vazhdoj të merrem me profesionin tim, të ngre punën time pa qenë i detyruar për të qenë i varur në mendime të të tjerëve, qoftë kjo edhe të partisë.

Nëse doni të konsideroni një xhaketë apo triko politike, sigurisht unë kam LSI-në dhe nuk do kem asnjë tjetër! Këtë e di, e kam të sigurt! Nuk kam ndërmend të kem triko të partive të tjera. Unë do vazhdoj të flas si njeri i lirë, nëse dikujt i shërben e folura ime…

Unë kam folur për shembull edhe për Ben Blushin, kam kritikuar rëndë KQZ-në për lojën që po bënte me regjistrimin, por kjo s’do të thotë që unë jam me Ben Blushin por ama është një qëndrim parimor, në raport me çështjen konkrete. Ashtu siç është parimore të thuash se problemi i opozitës për zgjedhjet është real, është konkret.

Çfarë duhet të themi, meqë jemi me LSI-në, të mos shprehemi?! Po kjo nuk shkon. Këtë lirinë e shprehjes vetëm Rama e ka problem. Kjo është një gjë që vetëm Ramën e shqetëson. Dhe është biblike se si ndërhyn edhe te studio televizive me lajme.

Metën dhe Bashën nuk i shqetëson?

E kanë, por jo kaq shumë. Ky ka një intensitet të frikshëm! E ka problem psiqik ndoshta, sepse njerëzit janë të lirë, ta thonë mendimin siç e kanë!/SHUPLAKA

 

 

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *