AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

Mirela Kumbaro manipulon zërat e transfertave, KUSH fshihet pas kompanisë së biznesit që i ka dhënë projekte në shkelje të ligjit

Mirela Kumbaro, ministrja e Kulturës manipulon zërat e transfertave nga institucioni i saj, duke dhënë në shkelje të plotë të udhëzimeve që nxjerr vetë projekte te kompanitë e biznesit që nuk kanë asnjë lidhje me artin.

”Shuplaka” zbulon listën e pafund të projekteve që znj.Kumbaro i ka dhënë kompanisë së biznesit ”Albania Experience” të biznesmenit Gazmend Haxhia, i njohur për pronësinë edhe të 8 kompanive të tjera, mes të cilave dhe universitetit privat ”Polis”.

Marrëdhënien e ”frytshme” me këtë kompani, të cilën e ka fuqizuar shumë gjatë këtij viti, Kumbaro e ka nisur që në 2015-ën, duke i dhënë brenda ligjit shërbime biletash, të cilat, si me magji, u transferuan në projekte milionëshe, nën zërin ”Të tjera transferta për institucionet jo-fitimprurëse”, ndërkohë që kompania është tërësisht fitimprurëse.

”Albania Experience” është kompani e mirëfilltë biznesi, funksionale, me statusin aktiv në QKR, duke mos patur asnjë lidhje me artin apo sportin.

”Shitje bileta avioni, trageti dhe treni në të gjitha destinacionet që menaxhojnë shoqëritë përkatëse, udhëtime turistike në të gjitha destinacionet turistike në Shqipëri dhe në bote, paketa turistike, Trekking, peshkim, gjueti, etj. Makina me qera, transport me automjete dhe me shoferë, asistencë profesionale për organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera në fushën e biznesit, kulturës, sportit etj. Pagesë e shërbimeve me para në dorë, me xhirim bankar, me karte krediti etj. Reklama, pasuri e paluajtshme, marketing, tregti mallrash, shërbime konsulence, menaxhim hotelerie, shërbim këmbim parash. Agjent detar. Spedicioner. Organizim konferencash, eventesh. Printime, kancelari. Paisje përkthimi, mikrofoni, përkthime. Shërbime Kateringu. Shitje librash dhe veprimtari të tjera që lidhen me librin.”, ky është objekti i kësaj kompanie. A mund të ketë lidhje me artin kjo kompani me këtë objekt?!

PROJEKTET E MAJME

Mbi 170 milionë lekë Kumbaro i ka derdhur në llogarinë e kompansë së biznesmenit për projektin e ‘e Bienales së Artistëve të Rinj nga Europa dhe Mesdheu. E ndarë në disa zëra, siç edhe paraqesin të dhënat e kërkuara lehtësisht në ”OpenData”, për këtë projekt ministrja ka bërë edhe 2 transferta të tjera. 8 transferta të tjera janë bërë për projekte të paspecifikuara, ndërkohë që të tjera detaje dalin në pah.

Projekti ”Argjiro Open dhe kampionati i 9 botëror i fluturave të lira”, mbi 27 milionë lekë të vjetra, për të cilin Alket Islami tha publikisht se qe një nga organizatorët ka kaluar pagesën nëpërmjet kompanisë së Haxhisë. Po kështu kjo kompani ka realizuar edhe një konferencë kombëtare mbi ”Trashëgiminë motor zhvillimi, UNESKO”, ku i është paguar në prill të këtij viti  60% e vlerës sipas kontratës.

Udhëzuesi i Kumbaros përcakton qartë që jo vetëm kompanitë e biznesit nuk mund të marrin projekte, por edhe shoqatat përfituese nuk mund ta kalojnë pragun e 20 milionëshit për projekt. Vetëm shoqata ose individë mundet të fitojnë projekte në ministri.

Skandali thellohet edhe më shumë kur shikon se në listën e projekteve fituese për 2017-ën, vit kur u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme me fushatën elektorale, ”Albania Experience” nuk rezulton gjëkundi (Shiko Linkun e Ministrisë ku janë shpallur projektet fituese)

KUSH ËSHTË GAZMEND HAXHIA

Ortaku i vetëm i ”Albania Experience” është Gazmend Haxhia që figuron në disa biznese  të tjera si ”ACMS”, ”Albania Health and Safety Center”, ”Albania Venture”, ”Albanian Ventures Real Estate I”, ”ASG”, ”Noshi”, ”Motown” dhe ”Universiteti Polis”.

Sipas CV-së në universitet, përkrah themeluesve Sotir Dhamo, Dritan Shutina dhe Besnik Aliaj thuhet se Haxhia është një nga pedagogët kryesorë. ”Gazmend Haxhia ka një përvojë solide fillimisht në administratën publike, përfshirë dhe ekipin e këshilltarëve të Kryeministrit të Shqipërisë në fillim të viteve 90-të. Pas kthimit nga SHBA, Gazmend Haxhia krijoi një portofol të suksesshëm sipërmarrjesh private në shërbime logjistike, turizëm, transport, dhe edukim.”, shkruhet më tej.

(V.G/SHUPLAKA)

2017-AlbaniaExperience

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *