EkonomiFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

Kriza energjitike, 5 miliardë lekë fatura që i kanë shkaktuar shtetit

Prej muajsh pa rreshje shiu situata energjitike në vend nuk paraqitet aspak e favorshme. Niveli i ujit në liqene ka rënë ndjeshëm ndërkohë që e gjithë situata do të shoqërohet dhe me një faturë të majme financiare.

Sipas Ministrisë së Financave pavarësisht rritjes së buxhetit për energjinë shpenzimet janë  të përballueshme dhe nuk do të çojnë në rritje të borxhit.

Paraprakisht ekspertët e ministrisë llogarisin se fatura e krizës për buxhetin do të jetë rreth 5 miliardë lekë ose gati 38 milionë euro.

Në dy muajt e fundit Shqipëria ka shpenzuar mbi 50 milionë euro për të blerë energji elektrike. Deri tani fatura e importeve është përballuar nga vetë operatori i shpërndarjes së energjisë. Por për shkak të këtyre shpenzimeve të larta, OSHEE ka ndalur ripagesat e kredive, të marra me garanci të qeverisë, shkruan ‘’Tch”.  

Për vitin 2017, ishte parashikuar që kompanitë publike të ripaguanin rreth 5 miliardë lekë kredi. Këto pagesa tashmë do të mbulohen nga buxheti.

Stafi teknik i Ministrisë së Financave ka nisur punën për ndryshimin e buxhetit, i cili me gjasa do të zyrtarizohet pas formimit të qeverisë së re. Por sipas tyre, pagesat për energjinë nuk do të çojnë në rritje të borxhit, pasi fatura do të mbulohet nga kursimet e interesave.

Në 6 muajt e parë të vitit, qeveria kurseu 3 miliardë lekë nga shërbimi i borxhit publik për shkak të rënies së interesave. Deri në fund të vitit, qeveria shpreson të kursejë më shumë, para të cilat do i përdorë për të financuar kreditë e kompanive energjetike pa rritur deficitin buxhetor.

(E.K/SHUPLAKA)

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *