AktualitetTe Gjitha

I ftohti siberian në Shqipëri shënon 6 viktima, dy vetëm në qytetin e Sarandës

Paraditen e sotme është shënuar viktima e gjashtë si pasojë e temperaturave të ulëta që prej javësh kanë përshkuar vendin tonë duke u shoqëruar me reshje dëbore dhe ngrica.

Xhezair Telo 61 vjeç u gjet i pajetë përpara banesës së tij në qytetin e Sarandës. Dyshohet se ai ka ndërruar jetë për shkak të të ftohtit, pasi në trupin e viktimës nuk u gjetën shenja dhune apo dëmtime të tjera.

61-vjeçari shënon viktimën e gjashtë pas 5 vdekjeve të tjera të shkaktuar nga i ftohti në qytetin e Durrësit, Sarandës, Lushnjes, Korçës dhe Pogradecit.

Viktima e parë u gjet më 7 janar 2017. Ai ishte Beni i Durrësit, shtetasi me iniciale A. S. 38 vjeç, i njohur në qytet si endacak. Një tjetër endacak u gjet i pajetë në qytetin e Sarandës. Ai u identifikua si Leonard Arapi 61 vjeç. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk mundi të mbijetojë.

52-vjeçari Bashkim Çepa është personi i tretë që u gjet i pajetë nga i biri në vendin e punës. Viktima që punonte si roje pallati në Golem të Lushnjës dhe që kishte probleme me zemrën, kishte tentuar të ndizte zjarr për t’u ngrohur por nuk kishte mundur t’i rezistonte të ftohtit.

Pas tij, ishte Ilia Lifo 60 vjeç që u gjet i pajetë, në një godinë të braktisur në Korçë, vetëm dhe i ngrirë prej të ftohtit. Pavarësisht se kishte fëmijë, ai jetonte i vetëm në një godinë të përshtatur si banesë.

Viktima e pestë e të ftohtit siberian në Shqipëri u shënua një ditë më parë në qytetin e Pogradecit. Anastas Shuke 38-vjeç, i identifikuar si person me çrregullime mendore. Ishin të afërmit e tij që gjetën trupin e pajetë në një dhomë ku mungonte ngrohja, çka ngriti dyshimet se vdekja mund të ishte shkaktuar nga i ftohti.

Së bashku me Xhezairin bëhen gjashtë viktima në Shqipëri si pasojë e të ftohtit siberian. Endacakë, njerëz me çrregullime mendore, punonjës të pambrojtur nga strukurat përkatëse, njerëz të braktisur nga shteti, nga bashkitë e qyteteve të tyre.

Pa përfshirë në këtë bilanc të rëndë për vendin tonë, të moshuarën në Durrës që u gjet një ditë më parë e pajetë prej tre ditësh. Për shkakun e vdekjes, pritet zbardhja e ekspertizës mjeko-ligjore.

Rreth dy ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, njoftoi se pavarësisht rritjes së temperaturave, reshjet e dëborës dhe ngricat do të jenë të pranishme gjatë gjithë muajit Janar. Do të thotë se indiferenca e strukturave qeveritare do të vazhdojë, do të thotë se do të rritet numri i viktimave?! (XH.A/SHUPLAKA)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *