EkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, hapat që duhet të ndiqen për pagimin e sigurimeve shoqërore online

Drejtoria e Përgjithshme tatimeve ka bërë gati një manual të posaçëm për detyrimet dhe afatet në pagesat e sigurimeve që të gjithë kategoritë e punonjësve kanë.

Kjo sepse kontributet e sigurimeve shoqërore konsiderohen si tatim i rëndësishëm pasi prek shtresat më të vjetra të popullsisë dhe mungesa e informacionit nga ana e bizneseve sjell moskorrektësi në pagesën e këtyre detyrimeve.

Broshura informuese e cila u publikua në rubrikën “Tatimet këshillojnë” përmban informacione mbi detyrimet e punëdhënësit dhe të vetpunësuarit si dhe llogaritja e kontributeve të tyre, afatet e deklarimit dhe të pagesës së kontributeve, deklarimi i të punësuarve në sistemin elektronik tatimor, deklarimi i ndryshimit të numrit të punonjësve si dhe penalitetet për mosdeklarim dhe mos pagesë në afat.

BROSHURA E PLOTË:

  1. Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, janë të detyruar: Të deklarojnë në sistemin e tatimeve listëpagesën, ku përfshihen të dhënat për çdo individ dhe në total si më poshtë: – Emri e mbiemri, – Numri personal, – Kategoria e pozicionit të punës, – Paga, – Shuma për t’u paguar e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, – Tatimin mbi të ardhurat nga punësimi. të deklarojnë në sistemin e tatimeve ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve, shtesat e pakësimet, sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara me ligj.
  2. Afatet e deklarimit dhe të pagesës së kontributeve Tatimpaguesit personat juridikë dhe fizikë, të regjistruar si tatimpagues, në përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit te parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Tatimpaguesit persona juridikë dhe fizikë të tjerë (tatimpaguesit e regjistruar për Tatimin mbi Fitimin, Entet Publike, OJF-të, etj.) brenda datës 20 të muajit pasardhës. Pagesa e detyrimeve të kontributeve të detyrimeve të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet në bankat e nivelit të dytë nëpërmjet urdhërpagesës të gjeneruar nga sistemi elektronik, pas dorëzimit të deklaratës.
  3. Deklarimi i të punësuarave në sistemin elektronik tatimor Brenda dy ditëve pune, pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në Administratën Tatimore, personat juridikë ose fizikë, duhet të deklarojnë në sistemin tatimor listën e të punësuarve, pagën përkatëse, përfshirë personin fizik apo/edhe punonjësit e papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht. Personat fizikë të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes kanë të drejtë që deklarimin në sistemin tatimor ta kryejnë të paktën 3 ditë përpara afatit fundor të paraqitjes së deklaratës (listëpagesës). Llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte që prej datës së regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në Administratën Tatimore.
  4. Deklarimi i ndryshimit të numrit të punonjësve Tatimpaguesi është i detyruar të deklarojë në sistemin elektronik të tatimeve, çdo punonjës që fillon punë për herë të parë, apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës. Tatimpaguesi është i detyruar të deklarojë në sistemin elektronik, të tatimeve, të larguarit nga puna, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.
  5. Llogaritja e kontributeve për punëmarrësin: Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për punëmarrësin llogariten mbi pagën bruto dhe shtesat e tjera, brenda një page bruto minimale dhe nivelit maksimal. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për punëmarrësin llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të tij dhe shtesat e tjera, e cila nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale. Llogaritja e kontributeve për personin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten si përqindje mbi pagën minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale.
  6. Niveli i pagës minimale bruto Niveli i pagës minimale bruto mbi të cilat paguhen kontributet përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Penaliteti për mosdeklarim dhe mos pagesë në afat Tatimpaguesi, i cili nuk dorëzon në afatin e përcaktuar sipas ligjit deklaratën, dënohet me gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar. Tatimpaguesi, i cili nuk arrin që brenda afatit të parashikuar në këtë ligj, të paguajë shumën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, detyrohet të paguajë gjobën dhe kamatëvonesën që llogariten mbi shumën e detyrimit të papaguar për çdo ditë.

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *