EkonomiTe FunditTe Gjitha

Biznesi-partive politike: Duam taksa të ulëta dhe ministri tonën

Pas konsultimeve të shumta të kryera me organizatat e biznesit, Forumi i Sipërmarrjes Shqiptare, ka hartuar së fundmi një platformë ekonomike të prezantuar në një dalje për mediat, e cila u adresohet të gjitha partive politike.

Përmes kësaj platforme ekonomike, Forumi i Sipërmarrjes Shqiptare synon një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e interesave të biznesit.

Kjo platformë, përcjellë nga revista “Monitor”, vjen në respektim të plotë të rolit dhe peshës që ka sipërmarrja private në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe të detyrimit për ta përfaqësuar atë denjësisht në marrëdhëniet me forcat politike dhe qeverisjen.

Platforma Ekonomike e Forumit të Sipërmarrjes Shqiptare:

  1. Hartimi i një strategjie të zhvillimit ekonomik të venditpër një periudhë 10-15 vjeçare, në konsultim të ngushtë me sipërmarrjen, bazuar në kapacitetet, potencialet dhe burimet që ofron vendi ynë. Kjo strategji, në përputhje me Strategjinë e Integrimit Europian të Shqipërisë, të jete objekt i një diskutimi të gjerë me grupet e interesit dhe të miratohet me konsensus të gjerë politik në Kuvendin e Shqipërisë. Ky dokument strategjik afatgjatë duhet të pasqyrojë në brendësi linjat kryesore të zhvillimit të sipërmarrjes shqiptare, shtyllat ku do të bazohet si dhe mekanizmin afatgjatë të implementimit të tij. Ky propozim vjen si një nevojë e domosdoshme që sipërmarrja ka për të qartësuar planet e saj për investimet afatgjata por edhe si një reflektim mbi vlerësimet më të fundit të Bashkimit Europian ndaj zhvillimit të sipërmarrjes në tërësi në Shqipëri, pasi konstaton se në sektorin e industrisë dhe prodhimit janë kryer vetëm disa studime fizibiliteti, pa një objektiv të qartë se si do të zhvillohen e harmonizohen sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu Strategjia duhet të orientojë sipërmarrjen private me prioritetet e zhvillimit sektorial e rajonal. Ky model duhet të jetë në linjë me programin e Kombeve të Bashkuara që po aplikohet në mbarë botën në lidhje me “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ku edhe Shqipëria është bërë pjesë.
  1. Rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, është jetësore për sipërmarrjen private në mënyrë që të konkurrojë me sukses në tregun rajonal, evropian dhe atë global. Është e nevojshme të identifikohen sektorët më prioritare, për të cilët duhen përgatitur menjëherë një sërë paketash lehtësuese me karakter ligjor, procedural, tatimor dhe tarifor, si:

– Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe garantimi i sigurisë ligjore, nëpërmjet përmirësimit të procesit të hartimit, konsultimit, miratimit dhe implementimit të legjislacionit që prek drejtpërdrejt dhe tërthorazi sipërmarrjen shqiptare, duke mbajtur në konsideratë direktivat BE, por edhe rekomandimet që vijnë nga organizatat që përfaqësojnë sipërmarrjen, sipas sektorëve të ndryshëm.

– Përmirësimi i kuadrit rregullator procedural, nëpërmjet identifikimit të të gjithë listës së procedurave që prekin drejtpërdrejt aktivitetin e sipërmarrjes dhe fillimin e reformës për thjeshtëzimin e tyre, me qëllim uljen e afateve kohore në aplikimin e tyre dhe tarifave, të cilat e bëjnë prodhimin vendas jo konkurrues në rajon dhe më gjerë.

– Përmirësimin e klimës së investimeve dhe të bërit biznes, nëpërmjet intensifikimit të komunikimit dhe konsultimit publik, duke garantuar një bashkëpunim dhe partneritet të vazhdueshëm e afatgjatë me organizatat e biznesit, gjatë procesve të hartimit të strategjive, prioriteteve dhe politikave publike ne dobi te tyre.

– Hartimin e politikave fiskale dhe përmirësimit të sistemit tatimor dhe atij doganor, për krijimin e paketave fiskale konkurruese të qendrueshme, që mbështesin produktet shqiptare dhe sektoret prioritare të ekonomisë.

Ky përmirësim duhet të kryhet nëpërmjet:

  1. krijimit të një sistemi taksimi në një kuotë të pranueshme të dakordësuar me sipërmarrjen,
  2. uljes së moderuar e nivelit të TVSH dhe përshkallëzimin në zbritje për disa sektorë specifik dhe barazimin e TVSH-së së ushqimeve me ato të nivelit evropian,
  3. futjes së TVSH-së në të gjithë nivelet e biznesit të vogël,
  4. heqjes përfundimisht e fashave të llogaritjes së taksimit për sipërmarrjen pa referencë xhiron vjetore,
  5. heqjes së disa taksave dhe tatimeve të pa nevojshme të mbetura në sistem pa asnjë vlerë për buxhetin e shtetit, por duke krijuar vështirësi për sipërmarrjen,
  6. rikategorizimit të llojeve të sipërmarrjes (sipas ligjit për shoqëritë tregtare), duke shtuar kategori të reja dhe bërë lehtësime fiskale sipas kategorive,
  7. përmirësimit të sistemit të rimbursimit të TVSH dhe Akcizës
  8. kalkulimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë e vendosur mbi çmimin e shitjes, në çmimin e kostos për industrinë e ndërtimit.

– Përmirësimit të politikave tregtare duke mbajtur në fokus politikat mbështetëse mbi prodhimin vendas dhe nxitjen e eksporteve nëpërmjet:

  1. rishikimit të taksave vendore për industrinë prodhuese;
  2. përmirësimit të infrastrukturës publike për një akses më të shpejtë dhe cilësor në territor;
  3. përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe produkteve utilitare, në shërbim të aktivitetit të sipërmarrjes si psh: energjia elektrike, ujësjellës dhe kanalizimi, etj;
  4. ulje e çmimit për energjinë elektrike për sipërmarrjen prodhuese dhe turizmit;
  5. ulje e çmimit të lëndëve djegëse për sipërmarrjen prodhuese;
  6. përmirësim të procesit të inspektimit dhe shtrirja e inspektimit online, si një skemë që mbështet prodhuesit e formalizuar dhe lufton informalitetin;
  7. mbështetje për rritjen e standardit dhe cilësisë së produkteve shqiptare;
  8. lehtësim i procedurave doganore dhe kufitare;
  9. rritja e fondeve mbështetëse për promovimin e “Made in Albania”, si produkte me origjinë të mbrojtur dhe të kontrolluar;
  1. Rritja e punësimit duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, përmes identifikimit të potencialeve dhe burimeve që ofron territori dhe duke u mbështetur në cilësinë dhe standardin e sistemit të edukimit e formimit profesional. Rritja e punësimit duhet të jetë jo vetëm numerike, por e qëndrueshme, pasi duhet ti përshtatet modelit të zhvillimit ekonomik 10-15 vjeçar. Kjo rritje duhet të vijë nëpërmjet përmirësimit të modelit të aftësimit universitar dhe atij profesional të bazuar në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, duke rivlerësuar rolin që mund të luajë sipërmarrja në procesin e edukimit. Zhvillimi i arsimit e formimit profesional, sidomos atij “dual”, duhet të bazohet në modelet më të mira evropiane, ku sipërmarrja është e angazhuar, në identifikimin e profesioneve për tu futur në sistemin arsimor dhe më pas angazhohet në menaxhimin e procesit të edukimit në punë. Institucionet shtetërore duhet të mbështesin procesin me skema financiare për të lehtësuar kostot e arsimimit në punë të të rinjve dhe të individëve që ndjekin arsimin në vazhdim.
  1. Agrobiznesi, përpunimi agroindustrial dhe zhvillimi rural
  2. Konsolidimi i rrjetit ekzistues të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, duke formalizuar dhe përsosur më tej strukturën e tyre organizative, në nivel lokal dhe kombëtar. Krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të subjekteve të Agrobiznesit.
  3. Rritja e ndërgjegjësimit të aktorëve ekonomik, kombëtar mbi potencialin e sipërmarrjeve dhe fermerëve shqiptar të angazhuar në zhvillimin e agrobiznesit dhe zonave rurale në tërësi, duke i promovuar ato sa më shumë dhe identifikuar praktikat më të mira zhvillimore.
  4. Rinovimi i Parkut të Mekanikës Bujqësore dhe shtimi linjave të përpunimit të lëndëve të para në vend, me qëllim rritjen e performancës dhe nivelit të prodhimit kombëtar në zonat rurale, që të jetë sa më konform normave dhe standarteve komerciale rajonale e evropiane.
  5. Evidentimi dhe analizimi sa më të plotë, transparent dhe të saktë të tokave djerrë ose të pakultivuara me mekanikë bujqesorë, si dhe të potencialeve apo aseteve të tjera në zonat rurale, që janë në pronësi apo përdorim të sektorit privat dhe atij publik, me qëllim identifikimin e potencialeve ende të pashfrytëzuara dhe orientimin e investimeve drejt sektorëve dhe produkteve me interes për eksport, ose me impakt të lartë punësimi.
  6. Mbështetja e metodave inovative dhe programeve prodhuese intensive për të siguruar një mekanikë performante, duke synuar në veçanti reduktimin e kostove energjetike, nëpërmjet zëvendësimit të karburantit të importuar me karburant të prodhuar dhe përpunuar në vend, program i hartuar që mund të zbatohet pa asnjë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Hartimi dhe implementimi i regjistrit elektronik të fermës, kartës elektronike të fermerit, si dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Agrobiznesit.
  7. Ulja e kostove për fermerët në aksesin në financë, si dhe mbështetja e tyre në garantimin dhe marrjen e financimeve më të mëdha dhe të përshtatur ndaj nevojave të tregut.
  1. Turizmi

Forumi vlerëson si shumë efikase për sektorin e hoteleri turizmit uljen e TVSH në 6%.  Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike në Shqipëri. Forumi rezervon të drejtën e disa propozimeve:

  1. Hartimi dhe miratimi i të gjithë masterplaneve të territorit ku parashikohet ndërhyrje dhe investime në sektorin e turizmit (ranor, malor dhe kulturor).
  2. Ndërhyrje emergjente në rehabilitimin e infrastrukturës dhe logjistikës turistike (infrastruktura rrugore, ujësjellës kanalizime, rrjeti i energjisë elektrike).
  3. Hartimi i një platforme të zgjuar i ndërveprimit turistik (ndërveprim i ofertës turistike klasike me turizmin kulturor, aventurier dhe agroturizmin). Kjo do të bënte të mundur zgjatjen e sezonit turistik.
  4. Krijimin e mundësive të mbështetjes financiare për investime në sektorin e Turizmit  (kredi afatgjatë dhe me interesa të ulëta).

6. Teknologjia e Informacionit

Sektori i Teknologjisë dhe Inovacionit përfshin një nga sektorët më të rëndësishëm, zhvillimi i së cilës ka ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurrues të çdo sektori ekonomik, shoqëror dhe politik.

Si rrjedhojë, komuniteti i biznesit kërkon që:

  • Të ofrohen nxitës fiskale duke rritur konkurrueshmërinë dhe krahasueshmërinë globale të sektorit.
  • Krijimi i Fondit të Inovacionit në mbështetje të të gjitha iniciativave që lidhen me Inovacionin dhe Sipërmarrjen, dhe krijimin e kompanive të reja.
  • Krijimi i një pakete nxitëse fiskale, financiare apo dhe në punësim për të gjitha ato kompani që investojnë në Teknologji dhe Inovacion.
  • Zbatimi i programit “Berlin Plus” në fushën e Ekonomisë Digitale të vlerësohet si i rëndësishëm dhe strategjik për integrimin rajonal dhe europian, që Shqipëria të përfitojë sa më shumë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit.
  1. Përmirësimi i Partneritetit Publik Privat, si një nga elementet kryesor të bashkëpunimit me sipërmarrjen private dhe garantimin e efikasitetit të politikave publike, që prekin drejtpërdrejt ekonominë. Ky partneritet duhet të jetë prioritar, sepse është një burim i pashtershëm i resurseve ekonomike për një rritje konsistente të ekonomisë shqiptare. Forumi në këtë platformë vjen me një propozim konkret, që do të garantonte përmirësimin e dialogut publik privat duke implementuar një skemë përfaqësuese të sipërmarrjes në vendim marrje. Forumi sugjeron që forca politike që do të qeverisë vendin të marrë në konsideratë që, në kompozimin e ardhshëm qeveritar, të pranohet që pjesë e kabinetit qeveritar të jetë Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila të ketë në funksionet e saj hartimin e politikave tregtare, promovimin dhe mbështetjen e sipërmarrjes prodhuese dhe proceset e ardhshme të negocimit me jashtë për tregtinë.

Forumi është i gatshëm të kontribuojë në përzgjedhje dhe ti sugjerojë Kryeministrit, si Ministër të kësaj Ministrie, tre kandidatura të përshtatshme ndër individët më të spikatur në fushën e politikave të sipërmarrjes dhe rezervon të drejtën ti kërkojë Kryeministrit edhe marrjen e masave deri në shkarkimin e tij kur nuk realizon objektivat dhe nuk e justifikon besimin e sipërmarrjes.

Kjo platformë nuk ka marr përsipër të jetë shteruese dhe analitike në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ajo sugjeron që të aplikohet në të gjithë sektorët potenciale e prioritarë të zhvillimit ekonomik.

Në kohën e duhur Forumi, përmes Organizatave Sektoriale të Biznesit, do ti ofrojë strukturës përkatëse Qeveritare, propozime konkrete për hartimin e strategjive sektoriale.

Forumi garanton opinionin Publik se kjo Platformë është në mbrojtje të interesave Kombëtare, të sipërmarrjes dhe të Konsumatorit shqiptar.

(XH.A/SHUPLAKA)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *